Si të mbrojmë mjedisin tonë dhe burimet e tij?
Për të mirën e mjedisit dhe vendit tonë, ne duhet të shmangim dhe të pakësojmë sasinë e mbetjeve, ndërsa mbetjet e krijuara t’i ripërdorim ose riciklojmë sa më shumë të jetë e mundur. Më poshtë po ju japim disa këshilla se si të minimizoni sasitë e mbetjeve që duhet të çohen në vend depozitim.
Reduktimi i mbetjeve ndihmon në ruajtjen e burimeve tona natyrore, hapësirës dhe energjisë që harxhohet në vend depozitime, shmangien e emetimeve të tilla si uji i ndotur dhe gazi i vend depozitimit dhe në uljen e kostove. Por si mund t’i reduktojmë mbetjet? Në një shoqëri të konsumit të lartë, ku jeta ecën me ritmet e larta të prodhimit, ne ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm për zakonet tona të konsumit. Le të ndalemi, pra, para se të blejmë diçka dhe të pyesim veten:
"A kam vërtet nevojë për këtë send?"
"A është me cilësi të mirë dhe a do të zgjasë për një kohë të gjatë?"
"A mund të blej një të përdorur ose ta marr hua?"
Në gjithë botën, një e treta e prodhimit ushqimor përfundon si mbetje ushqimore.Përveçse një çështje etike kundrejt gjithë vendeve në zhvillim që nuk plotësojnë nevojat për ushqim, shpërdorimi i ushqimit ka një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik në buxhetin e familjes sonë dhe rrit sasinë e mbetjeve ushqimore nëpër vend depozitime – një burim i gazit metan dhe rrezik për ndryshimet klimatike. Kështu,
- Herën tjetër kur të bëni pazar, mos blini më shumë ushqim se sa ju nevojitet
- Vendosni në ngrirje ushqimin që nuk arrini ta konsumoni
- Bëhuni krijues në kuzhinë dhe përgatitni një vakt tjetër me ushqimin e mbetur
- Nëse keni gatuar një racion shtesë, mendoni t'ia jepni dikujt në nevojë
Në këtë mënyrë, ju mund të kurseni mund dhe para dhe të mbroni mjedisin.
Artikujt plastikë me një përdorim janë bërë një zgjidhje e shpejtë dhe praktike sa herë që mblidhemi jashtë shtëpisë, organizojmë festa ose bëjmë blerje. Por përdorimi i tyre rrit sasitë e mbetjeve plastike dhe shkakton ndotje në lumenj, fusha dhe dete, duke ndikuar në ekosistem dhe duke ndotur zinxhirin ushqimor. Për këtë arsye, duke filluar nga data 3 korrik 2021, BE ka ndaluar disa lloje të sendeve plastike me një përdorim. Më shumë se 1 milion gjallesa që jetojnë në oqeane (përfshirë gjitarët, peshqit, peshkaqenët, breshkat dhe shpendët) vriten çdo vit për shkak të mbetjeve plastike (Fakte të UNESCO-s mbi ndotjen detare). Për më tepër, shëndeti i njeriut është në rrezik kur mikrogrimcat e plastikës konsumohen aksidentalisht nga kafshët në fund të zinxhirit ushqimor, pasi ato akumulohen dhe gëlltiten nga kafshët më të mëdha. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që:
- Të shmangim ose të refuzojmë qeset plastike, lugët, thikat pirunjtë plastikë, mbajtëset, shishet dhe gotat plastike.
- Të përdorim çanta prej cohe për blerjet
- Të përdorim kavanozë dhe enë qelqi për të ruajtur sa më mirë ushqimin
- Të blejmë fruta, perime dhe ushqime të hapura, duke shmangur paketimet e panevojshme
Kur është e pashmangshme të prodhohen mbetje, atëhere materialet e tyre duhet të ripërdoren, të riciklohen ose të kompostohen.
Kur ripërdorim sendet, ne u zgjasim kohën për t'i shërbyer qëllimit për të cilin janë prodhuar. Si mund të bëhet kjo?
- Riparimi
Riparimi i sendeve (në vend që të hidhni dhe të blini diçka të re) kursen burimet natyrore, parandalon mbetjet dhe kursen energji dhe para. Ju mund të riparoni rrobat dhe këpucët, ashtu si edhe pajisjet elektroshtëpiake, kompjuterat dhe celularët. Herën tjetër që diçka në shtëpi prishet, merrni parasysh ta rregulloni atë për të ndihmuar mjedisin dhe jini mirënjohës ndaj dyqaneve të servisit dhe riparimeve.
- Përdorimi për një funksion tjetër
Përdorni sendet tuaja të vjetra për një qëllim të ri. Ato çizme të vjetra mund të jenë të këndshme si vazo lulesh në kopsht. Përdoreni shkallën e vjetër si një raft për varjen e rrobave ose shndërrojeni atë në një raft librash. Bëni një abazhur me rruaza qelqi. Një gomë e vjetër është e përkryer për të bërë një lëkundëse në pemë. Përdorimi i sendeve për fuksione të tjera është po aq i vjetër sa vetë qytetërimi, thjesht bëhuni krijues.
- Rinovimi
Nëse mobiljet tuaja ju duken të mërzitshme, mbase ndërrimi i bojës ose rimodelimi i tyre do të rigjallëronte ngjyrat dhe stilin. Ato janë ende në gjendje të mirë dhe funksionale dhe sigurisht që duken shkëlqyer me aksesorët e rinj.
Kur riciklojmë, ne kursejmë lëndët e para, përdorim më pak energji, ulim ndotjen e ajrit dhe ujit dhe kemi mundësinë të pakësojmë çlirimin e gazeve serrë.
Ekzistojnë lloje të ndryshme të riciklimit sipas materialit:
Letër dhe karton
Riciklimi i letrës dhe kartonit është i rëndësishëm, sepse mund të kursejë nga prerja pemët tona. Për çdo ton letër dhe karton të ricikluar, mund të kursehen deri në 17 pemë. Për më tepër, duhet 70% më pak energji për të prodhuar letër nga materiali i ricikluar, sesa të fillosh me përpunimin e lëndës nga e para.
Plastika
Plastika është e llojeve të ndryshme, ndaj mund të jetë e vështirë të dimë me saktësi se cilat prej tyre janë të riciklueshme.
- PET (Polietilen Tereftalat) – shishet e pijeve freskuese, shishet e ujit dhe ambalazhet e zakonshme të ushqimeve. Këta artikuj janë të riciklueshëm.
- HDPE (Polietilen me dendësi të lartë) – paketimet e detergjentëve, zbardhuesve, paketimet e qumështit, të shampove dhe paketimet e vajrave motorikë. Ky material është i riciklueshëm.
- PVC (klorur polivinil) – tubat që përdoren në fushën e ndërtimit, lodra, mobilje, ambalazhe. Material më i vështirë për t’u ricikluar.
- LDPE (Polietileni me densitet të ulët) – mbështjellëse, qeset e perimeve dhe plastmaset mbështjellëse të sanduiçeve. Këta artikuj janë të riciklueshëm.
- PP (Polipropileni) – veshje, shishe, dhe litarë. Mund të riciklohen në fibra.
- PS (polisterol) – ambalazhet e pajisjeve elektrike, vasketat e ushqimeve. Ky material që e njohim me emrin popullor “bukë peshku”, ka tendencë të jetë shumë voluminoz duke e bërë të vështirë riciklimin.
Mbetjet elektrike dhe elektronike
Kompjuterët, celularët, TV-të, fotokopjet, printerët, tharëset e flokëve, etj. mund të riciklohen përmes shërbimeve profesionale. Veç kësaj, ju mund t’i shisni pajisjet tuaja të vjetra ose të gjeni ndonjë përdorim të ri për to, në mënyrë që të mos përfundojnë në vend depozitim.
Riciklimi i drurit
Shumica e mbetjeve të drurit mund të ripërdoren si materiale ndërtimi, të riciklohen si material mbushës për krijimin e peizazheve ose si tul për prodhimin e letrës apo të shfrytëzohen si lëndë djegëse. Ripërdorimi dhe riciklimi i drurit pakëson nevojën për të prerë pemët. Produktet e përftuara nga riciklimi i mbetjeve të drurit përdoren në sektorë të tillë si prodhimi i letrës, prodhimi i paneleve, peletët e drurit, prodhimi i energjisë, etj.
Riciklimi i qelqit
Ne duam që qelqi të mos përfundojë në vend depozitim, pasi ai nuk dekompozohet. Nga ana tjetër, qelqi është 100% i riciklueshëm. Kjo do të thotë që çdo pjesë prej qelqi mund të ripërdoret. Eshtë një material që nuk do ta humbasë kurrë pastërtinë ose cilësinë e tij.
Riciklimi i tullave dhe mbetjeve inerte
Mbetjet inerte nga prishjet e ndërtesave si tulla, blloqe, material dheu dhe rërë mund të riciklohen të gjitha për të zvogëluar sa më shumë ndikimin e aktivitetit njerëzor në mjedis. Ato mund të ripërdoren për projekte të tjera ndërtimi.
Kompostimi është një mënyrë e dekompozimit të mbetjeve të ngurta organike në prani të ajrit. Ai nënkupton dekompozimin e materialit organik në një material të ngjashëm me humusin, i njohur si kompost, i cili është një pleh i mirë për bimët.
Si të kompostoni në shtëpi në 5 hapa?
- Zgjidhni mbetjet tuaja ushqimore dhe mbetjet e tjera të gjelbraÇfarë mund të kompostohet?
- Bari i prerë
(pas tharjes në një shtresë të hollë ose i përzier me material me strukturë të pasur) - Gjethet
- Degët e krasitura të pemëve dhe shkurreve
- Mbetjet e kuzhinës
(Mbetjet e frutave dhe perimeve, filtrat kafes dhe çajit, lëvozhgat e vezëve, sasi të vogla mbetjesh nga fruta tropikale) - Gazeta ose letër kuzhine e përdorur si mbështjellëse për mbetjet e kuzhinës
(në sasi të vogla) - Hiri i drurit të pastër
(në sasi të vogla dhe të përziera mirë)
Çfarë nuk mund të kompostohet?
- Ushqimi i gatuar
- Jashtëqitjet e qenve dhe maceve
- Mish, kocka, peshk dhe dhjamë
- Druri i përpunuar
- Qelqi, metali, plastika, pelenat e fëmijëve
- Vaj dhe bojë
- Hiri i qymyrit dhe llumi i ullukut
- Bimë të sëmura dhe barëra të këqija:
Lakra me sëmundjen e hernies
Domate dhe patate të kalbura
Degë të thara me njolla koralesh
Degët e drurëve frutorë mollë, dardha, etj me ndezje bakteriale
Bimë si luleshtrydhet dhe domatet që janë vyshkur papritmas gjatë sezonit të rritjes
- Ruani mbetjet e ushqimit dhe mbetjet e tjera organike për t'i përdorur në shtresa
- Zgjidhni një vend për të bërë kompostin tuaj
Nëse keni një oborr apo kopsht, mund të praktikoni kompostimin në mënyrën tradicionale, duke bërë një grumbull mbetjesh brenda një kutie prej druri. Por nuk është e pamundur edhe nëse banoni në një apartament. Ka mënyra kompostimi në kontenierë të mbyllur, të cilët mund t’i mbani brenda shtëpisë.
- Bëni përzierjen e kompostit
Dy përbërësit kryesorë të përzierjes janë "të gjelbrat" dhe "kafet". "Të gjelbrat" janë zakonisht mbetje të lagështa ushqimore, si lëvoret e frutave dhe perimeve, llum kafeje ose bari i prerë, të cilat shtojnë azot, një element thelbësor për rritjen e mikrobeve. "Kafet" janë zakonisht të thata dhe më të pasura me karbon, si gjethe të thata, hala pishe, bikerina vezësh, gazeta. Pjesët prej druri duhet të copëtohen në pjesëza më të vogla rreth 5 cm dhe të përzihen në mënyrë homogjene me mbetje të buta organike.
Kur vendosni shtresat, filloni me shtresën e thatë kafe në pjesën e poshtme dhe alternojeni me të gjelbrat e lagështa sipër. Përmbajtja e thatë do të lejojë ujin dhe ajrin të qarkullojnë nëpër masë. Numri i shtresave varet nga hapësira që keni dhe sasia e mbetjeve të ushqimit, por përpiquni t'i krijoni me trashësi nga 3-5 cm. Në pjesën e sipërme të kompostit mund të vendosni një shtresë kafe për të mbajtur larg insektet dhe aromat.
- Prisni, ujisni dhe ajrosni
Sa kohë duhet të prisni për dekompozimin?
Mund të duhen rreth gjashtë muaj deri në një vit në mot të ftohtë dhe derisa të shpërbëhen të gjithë përbërësit, kështu që duhet të keni durim.
Ju duhet ta ktheni e ta përzieni grumbullin me një shkop ose lopatë për të bërë të mundur qarkullimin e ajrit. Në fillim përzierja mund të bëhet çdo 10 ditë. Nëse mban erë të keqe, ky është një tregues që mbetjet nuk po dekompozohen, pasi masa mund të jetë më e lagësht se sa duhet ose mund të ketë nevojë të rregullohet raporti i mbetjeve të gjelbra me ato kafe. Ujitja mund të jetë e nevojshme kur ka periudha të zgjatura të thata.
Aroma e kompostit të përfunduar është e ngjashme me atë të drurit dhe dheut. Kur të keni përftuar produktin përfundimtar, mund ta përdorni për të plehruar kopshtin tuaj ose vazot me lule.
Ju mund të shkarkoni udhëzuesin tonë të kompostimit në shtëpi këtu.
Kur u ndërtua vend depozitimi sanitar?
Në vitin 2017.
Çfarë sipërfaqe zë vend depozitimi?
Sipërfaqja totale e vend depozitimit duke përfshirë të gjitha objektet është rreth 15 ha, ndërsa zona për asgjësimin e mbetjeve është 7.4 ha.
Cili është kapaciteti i vend depozitimit?
Rreth 1.000.000 m3,3kapacitet i mjaftueshëm për të depozituar mbetjet që gjenerohen në rajonin e Korçës për një periudhë 20 vjeçare.
Çfarë do të ndodhë pasi vend depozitimi të mbushet?
Ashtu si në pjesën e poshtme të vend depozitimit, e gjithë sipërfaqja e sipërme e tij do të izolohet me disa shtresa në mënyrë që të gjitha emetimet të mblidhen dhe të kontrollohen. Vendi do të rehabilitohet dhe më pas mund të përdoret për qëllime të tjera. Sipas rregulloreve në fuqi, vend depozitimi dhe emetimet e tij do të monitorohen për një periudhë 30 vjeçare pas mbylljes.
A ka ndikime negative vend depozitimi në mjedis?
Vend depozitimi sanitar në Maliq është ndërtuar dhe funksionon në përputhje me standardet e larta mjedisore që zbatohen në BE për të shmangur ndikimet negative në tokë, ujërat nëntokësore dhe sipërfaqësore, ajër, florë, faunë si dhe në shëndetin e njerëzve.
Cilat janë disa ndikime të pritshme mjedisore të vend depozitimit?
Uji i ndotur (lëngu kullues) që prodhohet nga mbetjet e depozituara mund të përmbajë substanca të rrezikshme që janë gjithashtu të pranishme në mbetjet tona. Për të parandaluar depërtimin e ujërave të ndotura në tokë, vend depozitimi është izoluar në pjesën fundore të tij. Uji i ndotur mund të mblidhet përmes një sistemi me tuba dhe të trajtohet duke përdorur teknologjinë e përparuar të filtrimit me Reverse Osmosis. Uji i trajtuar që del nga impianti është i pastër dhe mund të shkarkohet në mënyrë të sigurt në mjedis.
- Gazi i vend depozitimit prodhohet si rezultat i aktivitetit biologjik në masën e mbetjeve. Gazi i vend depozitimit përmban metan, i cili është një gaz serrë. Kur të prodhohet gaz i mjaftueshëm nga vend depozitimi, ai do të mblidhet përmes një sistemi me tuba dhe do të digjet në një flakë me temperaturë të lartë. Kështu, emetimet e gazeve serrë nga vend depozitimi do të zvogëlohen.
- Për shkak të aktivitetit biologjik gjithashtu prodhohen aroma të pakëndshme. Në varësi të presionit të ajrit dhe drejtimit të erës, kjo aromë mund të ndjehet në zonat e afërta, por stafi ynë punon vazhdimisht për të mbuluar mbetjet dhe për të shmangur aromat e vend depozitimit.
A mund t'i sjell mbetjet e mia direkt në vend depozitim?
Shoqëria KRWM ka kontrata shërbimi me Bashkitë që sjellin mbetjet bashkiake në vend depozitim. Ato duhet të paguajnë një tarifë hyrëse për çdo ton mbetje të dorëzuara, sipas një vendimi të përbashkët. Tani, KRWM nuk aplikon kontrata shërbimi individuale.
A depozitohen mbetjet e rrezikshme në vend depozitim?
Jo, mbetjet e rrezikshme nuk pranohen në vend depozitim.
A është i sigurt përdorimi i ujit të lumit Devoll në rrjedhën e poshtme nga vend depozitimi?
Vend depozitimi nuk ndikon në cilësinë e ujit të lumit Devoll. Kështu, cilësia e tij në rrjedhën e poshtme nga vend depozitimi është e njëjtë me atë të rrjedhës së sipërme.
A mund ta vizitoj vend depozitimin?
Po, herë pas here organizohen vizita në vend depozitim me nxënës dhe studentë dhe publiku i gjerë mund të na vizitojë gjatë Ditës së Hapur të vend depozitimit. Ju lutemi, ndiqni të rejat tona për të mësuar në lidhje me datën e Ditës së Hapur në vitin 2021 dhe na kontaktoni për të shprehur interesin tuaj.
A ka njerëz që banojnë dhe nxjerrin materiale nga mbetjet në vend depozitim?
Jo, nuk ka banorë pranë vend depozitimit të Maliqit dhe nuk zhvillohen aktivitete të nxjerrjes së materialeve të riciklueshme. Territori i vend depozitimit është i rrethuar dhe nuk lejohet hyrja e personave të paautorizuar.
A digjen mbetjet në vend depozitim?
Jo, mbetjet nuk digjen. Mbetjet vendosen mbi sipërfaqen e izoluar dhe mbulohen me material dheu.
Cilat bashki mund ta përdorin vend depozitimin?
Vend depozitimi sanitar i Maliqit u shërben të gjashtë Bashkive aksionere të KRWM: Devoll, Kolonjë, Korçë, Maliq, Pogradec dhe Pustec.
A është një stacion transferimi i ngjashëm me një vend depozitim të vogël?
Jo, stacioni i transferimit është një strukturë për depozitimin e përkohshëm të mbetjeve para ngarkimit të tyre në automjete më të mëdha transporti.
A kryhet monitorimi mjedisor në vend depozitim?
Po, në përputhje me kërkesat ligjore, monitorimi mjedisor i ujit, zhurmave dhe ajrit bëhet çdo tremujor. Pesë lloje të analizave të ujit kryhen me mostra nga pellgu i ujit të ndotur, pellgu i ujit të trajtuar, kanali që derdhet në lumin Devoll dhe ujërat nëntokësorë nga dy puse. Analiza e ajrit merr parasysh nivelet e grimcave, metanit, dioksidit të karbonit dhe azotit. Një raport vjetor i monitorimit dorëzohet në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
A nuk është më mirë t’i riciklojmë mbetjet në vend që t'i depozitojmë ato në vend depozitim?
Po, patjetër që riciklimi është një opsion më i mirë, por më e mira nga të gjitha do të ishte të mos krijonim mbetje. Gjithsesi, pavarësisht nga teknologjitë e trajtimit që janë në dispozicion, një vend depozitim është i domosdoshëm dhe për rrjedhojë element thelbësor i një sistemi të integruar të menaxhimit të mbetjeve. Meqenëse vend depozitimi sanitar në Maliq është i pari i këtij lloji në Shqipëri, është e rëndësishme të fitohet përvoja fillestare në funksionimin e qëndrueshëm të tij. Ndërsa jemi duke menaxhuar vend depozitimin, gjithashtu po punojmë për zhvillimin e sistemit të ardhshëm të trajtimit të mbetjeve në rajonin tonë. Gjithashtu, në përputhje me synimet strategjike të Shqipërisë, së shpejti do të nisin aktivitete më intensive për riciklimin e mbetjeve, në qarkun e Korçës.