Rreth KRWM

Shoqëria “Administrimi i Mbetjeve të Qarkut Korçë” (KRWM SHA) është një shoqëri aksionere që zotërohet nga 6 bashkitë e Qarkut të Korçës. Ajo u themelua në 05 qershor 2008 me qëllimin për t’i ofruar shërbimet e menaxhimit të mbetjeve bashkarisht, në nivel rajonal dhe me efikasitet për të gjitha bashkitë e saj anëtare. Krijimi i saj finalizoi vullnetin e bashkive për të pasur një ent për të administruar sistemin rajonal të menaxhimit të mbetjeve, duke përfshirë funksionimin e objekteve rajonale dhe organizimin e transportit në distancë të largët.

Gjatë viteve të para, stafi ynë - bërthama e ndërmarrjes së sotme - shërbeu si një agjenci për zbatimin e projektit “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta në Shqipërinë Juglindore”, në kuadër të bashkëpunimit financiar Gjermani - Shqipëri, të financuar përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW. Gjatë fazës ndërlidhëse dhe fazës së parë të zbatimit, ne përgatitëm bazat për krijimin e një sistemi rajonal dhe ndërtimin e vend depozitimit sanitar në Maliq. Projektimi dhe ndërtimi i një vend depozitimi me parametra të nivelit të lartë ishte fokusi kryesor i fazës së dytë të zbatimit, ndërkohë që patëm mbështetjen e konsulencës për forcimin funksional dhe organizativ të kompanisë.

Sot KRWM administron vend depozitimin sanitar rajonal dhe dy stacione transferimi në bashkitë Devoll dhe Kolonjë. Ajo është rritur në një kompani plotësisht funksionale prej 25 punonjësish të përkushtuar për të siguruar funksionimin efektiv dhe efiçent të objekteve të saj, në përputhje me standardet e kërkuara teknike dhe mjedisore.

Një partner i përkushtuar në rajon

KRWM vepron si një lojtar i përkushtuar për të ofruar shërbime cilësore miqësore me mjedisin në një sistem të integruar të menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Shërbimet tona variojnë nga shërbimet e transferimit dhe transportit në distanca të gjata deri te depozitimi i mbetjeve në Qarkun e Korçës.

Misioni i Shoqërisë është të ofrojë shërbime cilësore, miqësore me mjedisin dhe efiçencë të burimeve në një sistem të integruar të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në Qarkun e Korçës, i cili përfshin shërbime transferimi, transport në distancë dhe depozitimin e mbetjeve dhe të inkurajojë dhe mbështesë riciklimin dhe të kontribuojë në pakësimin e mbetjeve, duke përmirësuar kështu standardet mjedisore, shëndetin dhe sigurinë e njerëzve.

Shoqëria KRWM SHA është e autorizuar të administrojë dhe përpunojë rrymat e mbetjeve si më poshtë:

  • Mbetjet bashkiake (mbetje shtëpiake, mbetje jo të rrezikshme, industriale dhe nga institucionet) të cilat grumbullohen brenda skemës bashkiake të menaxhimit të mbetjeve.
  • Gjithashtu në përputhje me kërkesat e lejes së vend depozitimit dhe me ligjet dhe rregulloret shqiptare, mbetjet e tjera jo të rrezikshme që dorëzohen drejtpërdrejt në vend depozitim (përveç llojeve të përmendura më sipër, p.sh. mbetjet bujqësore, mbetjet nga ndërtimet dhe prishjet, llumrat nga impiantet e trajtimit të ujërave), nëse këto rryma mbetjesh nuk kanë ndikime negative në funksionimin e vend depozitimit dhe në emetimet e përgjithshme.

Vlerat tona janë:

  • transparenca
  • gjithëpërfshirja
  • besueshmëria
  • bashkëpunimi me komunitetin
  • partneritetet
  • vlera e parase
  • shërbimi cilësor
  • llogaridhënia

Qëllimet e përgjithshme të Shoqërisë mund të përmblidhen në tre aspekte:

Organizimi: Ndërtimi i një kompanie moderne, me kapacitete dhe performancë të lartë që vlerëson aksionarët, stafin dhe klientët dhe që është e aftë të ofrojë një vizion, objektiva dhe shërbim cilësor.

Kryerja e punës: Ofrimi i shërbimeve rajonale për transportin, pakësimin dhe depozitimin e mbetjeve, që janë të sigurta për mjedisin dhe me efiçencë kostoje.

Menaxhimi financiar: Ngritja e një kompanie të qendrueshme financiarisht që siguron shërbime me efiçencë kostoje dhe me vlerë të veçantë për klientët dhe qytetarët.

Për të arritur këto qëllime, Shoqëria ka përcaktuar disa objektiva të cilët monitorohen rregullisht.

KRWM është ngritur si një strukturë funksionale ku stafi organizohet sipas funksioneve me një hierarki autoriteti, komunikimi, të drejtash dhe detyrash. Në tetor të vitit 2020, stafi i KRWM përbëhet nga: 6 punonjës në administratë, 15 punonjës në stafin teknik për funksionimin e vend depozitimit dhe 4 punonjës në stafin teknik për funksionimin e stacioneve të transferimit.

Asambleja e Aksionarëve është organi më i lartë vendimmarrës i Shoqërisë dhe formohet nga të gjithë aksionarët e saj. Mbledhjet e zakonshme të Asamblesë së Aksionarëve thirren të paktën një herë në vit.

Këshilli Mbikëqyrës mbikëqyr se si menaxhohet Shoqëria dhe merr vendimet përkatëse. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen për një mandat 2-vjeçar nga Asambleja e Aksionarëve me shumicë të thjeshtë të votave të aksionarëve të pranishëm ose të përfaqësuar. Këshilli Mbikëqyrës mblidhet në ambientet e KRWM të paktën një herë në tre muaj ose, në raste të veçanta, me iniciativë të Kryetarit.

Themelimi i Kompanisë bazohet në Ligjin Nr. 9901, datë 14.04.2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare" dhe në Ligjin Nr. 8652, datë 31.7.2000 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Lokal" si dhe të tjera akte nënligjore përkatëse dhe është regjistruar në përputhje me Ligjin Nr. 9723, datë 3.05.2007 "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".

Rregullat kryesore të organizimit dhe funksionimit të Shoqërisë përcaktohen në Statutin e Shoqërisë, i cili mund të shkarkohet këtu.

KRWM është një shoqëri aksionere me kapital publik në pronësi të bashkive të qarkut të Korçës. Numri i aksioneve është në përpjestim me numrin e popullsisë së bashkive përkatëse.

KRWM member municipalities are:

Bashkia Korcë

Bashkia Pogradec

Bashkia Maliq

Bashkia Devoll

Bashkia Kolonjë

Bashkia Pustec

Partnerët tanë kryesorë në përmbushjen e aktiviteteve dhe objektivave tona përfshijnë sa më poshtë

  • Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
  • Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
  • KfW
  • AKUM
  • Konsulentët
  • Agjencitë Kombëtare dhe Rajonale të Mjedisit
  • Institucionet arsimore
  • Media