Ne ndryshuam sistemin e depozitimit të mbetjeve në Rajonin e Korçës

Me ndërtimin e vend depozitimit sanitar rajonal në Maliq, u ndërpre funksionimi i shumë vendgrumbullimeve ekzistuese të mbetjeve në rajon. Në këtë mënyrë, u zvogëluan ndjeshëm ndikimet mjedisore të depozitimit të pakontrolluar të mbetjeve në tokë, ujë, ajër dhe si pasojë tek njerëzit, bimët e kafshët.

Rajonalizimi i veprimtarive të trajtimit dhe depozitimit të mbetjeve është gjithashtu një kërkesë e legjislacionit shqiptar, pasi kjo bën të mundur zbatimin e teknologjive moderne dhe ekonomike të menaxhimit të mbetjeve, me anë të të cilave mund të shmangen dhe të monitorohen ndikimet në mjedis.

Plani Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta parashikon zbatimin e objekteve për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Korçës në një periudhë afatmesme (2023-2027). Me përgjegjësitë e dhëna nga aksionarët tanë, ne jemi të përkushtuar të projektojmë të ardhmen e shërbimeve rajonale të menaxhimit të mbetjeve në rajon.

Ne drejtojmë punën në vend depozitimin sanitar rajonal.

Ne bëjmë të mundur që të depozitohen mesatarisht 140 ton mbetje në ditë në përputhje me standardet evropiane. Kontrollojmë dërgesat e mbetjeve në mënyrë që të depozitojmë vetëm ato mbetje që lejohen të depozitohen në vend depozitim. Pesha e çdo ngarkese mbetjesh regjistrohet për qëllime faturimi dhe planifikimi në të ardhmen. Janë marrë njw sërë masash për të zbutur aromat e rënda. Uji i ndotur nga vend depozitimi trajtohet me standardet më të larta. Gazi i vend depozitimit, i cili është vrastar për klimën, do të fillojë të trajtohet sapo vend depozitimi të prodhojë sasi të mjaftueshme gazi.

Ne drejtojmë punën në stacionet e transferimit në Bashkitë Devoll dhe Kolonjë.

Meqenëse transporti i mbetjeve me automjete të vogla nuk është ekonomik, ne kemi ndërtuar dhe drejtojmë punën e dy stacioneve transferimi në rajon. Në këto stacione transferimi, automjetet e grumbullimit të mbetjeve i shkarkojnë mbetjet në kontenierë të mëdhenj transportues. Kontenerët e mbushur transportohen nga shoferët tanë me mjete transporti drejt vend depozitimit. Për shkak të ngarkimit të mbetjeve direkt në kontenierë të izoluar dhe mbuluar, pothuajse nuk ka emetime në mjedis. Edhe dërgesat e mbetjeve që sillen në stacionet e transferimit kontrollohen dhe regjistrohen.

Ne mbështesim mbylljen e vendgrumbullimeve ekzistuese.

Me mbështetjen e KfW dhe Konsulentëve, ne jemi duke përgatitur konceptet e mbylljes për vendgrumbullimet ekzistuese të mbetjeve. Konceptet marrin parasysh si kërkesat ligjore kombëtare ashtu edhe rekomandimet nga praktika ndërkombëtare. Synimi kryesor është minimizimi i ndikimeve të mëtejshme mjedisore të vendgrumbullimeve ekzistuese dhe rehabilitimi i tyre.

Ne mbështesim aksionarët tanë në përmirësimin e shërbimeve bashkiake të menaxhimit të mbetjeve.

Menaxhimi i mbetjeve duhet të përbëjë një sistem të integruar që nga gjenerimi deri në depozitimin përfundimtar të mbetjeve. Nëse qytetarët bashkëpunojnë dhe bashkitë i grumbullojnë mbetjet në mënyrë efikase dhe efektive, KRWM mund të ofrojë shërbime të qendrueshme rajonale, siç janë transferimi, trajtimi dhe depozitimi i mbetjeve. Në mënyrë që të mbrojmë burimet tona natyrore, të kursejmë energji dhe të ulim kostot e menaxhimit të mbetjeve, sa më shumë mbetje të jetë e mundur duhet të grumbullohen veçmas dhe të riciklohen. Riciklimi gjithashtu do të zgjasë jetën e vend depozitimit, i cili është ndërtuar pas një procedure të gjatë dhe ka kërkuar investime të mëdha. Për këtë arsye, ne bashkëpunojmë me bashkitë tona aksionare për të përmirësuar shërbimet e grumbullimit të mbetjeve, për të krijuar skemat e grumbullimit të diferencuar dhe për të organizuar aktivitete ndërgjegjësuese në mbështetje të tyre.